Banorët kanë raportuar për dëmtime në segmentin rrugor që lidh lokacionin “Kralicat” me fshatin Polac, duke ngritur shqetësime për vështirësitë gjatë qarkullimit.
Pas raportimit, ekipi i “Zërave Digjitalë të Fshatrave” e ka vizituar këtë segment rrugor dhe ka vërejtur disa gropa të dukshme në rrugë, të cilat mund të vështirësojnë qarkullimin dhe të shkaktojnë dëmtime të automjeteve.
Për të verifikuar se cili institucion është përgjegjës për mirëmbajtjen e rrugës dhe nëse është planifikuar ndonjë ndërhyrje, “Zërat Digjitalë të Fshatrave” iu drejtuan Komunës së Skenderajt.
Në përgjigjen e saj, Komuna ka sqaruar se segmenti që lidh “Kralicat” me Polacin nuk është në kompetencë të Komunës së Skenderajt. Sipas Komunës, përgjegjësia për këtë rrugë i takon Ministrisë së Infrastrukturës dhe institucioneve përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve në nivel qendror.
Komuna ka bërë të ditur se për këtë arsye, çështja e inspektimit, mirëmbajtjes dhe sanimit të dëmtimeve duhet t’i adresohet institucionit kompetent në nivel qendror.
“Zërat Digjitalë të Fshatrave” do ta adresojnë rastin tek Ministria e Infrastrukturës për të kërkuar informacion lidhur me gjendjen e këtij segmenti, përgjegjësinë për mirëmbajtjen e tij dhe nëse është planifikuar ndonjë ndërhyrje.
Statusi: Në pritje të përgjigjes së Ministrisë së Infrastrukturës.

Leave a comment