Banorët e fshatrave Llapushnik dhe Likoshan kanë ngritur shqetësime lidhur me grumbullimin e mbeturinave, duke raportuar për vonesa në ofrimin e këtij shërbimi.
“Zërat Digjitalë të Fshatrave” iu drejtuan Komunës së Drenasit për të verifikuar situatën dhe për të marrë informacion nëse institucionet ishin në dijeni të problemit.
Në përgjigjen e saj, Komuna e Drenasit e ka pranuar se grumbullimi i mbeturinave në zonat rurale dhe nëpër fshatra aktualisht ka ngecje.
Sipas Komunës, vonesat në disa raste arrijnë deri në dy-tre javë, ndërsa si shkak janë përmendur problemet me automjetet e grumbullimit të mbeturinave.
Komuna ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me KRM “Pastrimi” dhe Njësinë Operative në Drenas lidhur me mbarëvajtjen e shërbimit.
Për fshatin Llapushnik, Komuna ka njoftuar se, sipas informatave të pranuara nga Njësia Operative e KRM “Pastrimi” në Drenas, grumbullimi i mbeturinave ishte planifikuar të kryhej më 21 gusht 2026.
Ndërsa për Likoshanin, Komuna ka bërë të ditur se shërbimi i grumbullimit ishte kryer më 19 gusht 2026.
Komuna ka sqaruar se për orarin e operimit dhe informatat më të detajuara mbi dinamikën e grumbullimit duhet t’i drejtohemi drejtpërdrejt KRM “Pastrimi”, si ofrues i shërbimit.
Rasti mbetet i rëndësishëm për t’u ndjekur, veçanërisht për të parë nëse grumbullimi në këto fshatra po vazhdon sipas planit dhe nëse vonesat e raportuara në zonat rurale do të përsëriten.
Statusi: Në monitorim.

Leave a comment