Nga Fatlum Jashari
Banorët e disa fshatrave të Drenicës kanë raportuar për rrugë të dëmtuara, segmente të vështira për qarkullim dhe ura që vazhdojnë të presin ndërhyrje. Përmes platformës “Zërat Digjitalë të Fshatrave”, këto shqetësime janë dokumentuar dhe janë adresuar te institucionet përgjegjëse.
Në disa raste, komunat kanë dhënë përgjigje duke sqaruar gjendjen dhe planet për ndërhyrje. Në raste të tjera, përgjegjësia është jashtë kompetencave komunale. Për segmentin rrugor Kralicat–Polac, për të cilin është kontaktuar Ministria e Infrastrukturës, deri në publikimin e këtij artikulli nuk është pranuar përgjigje.
Likoshan–Gllanasellë–Çikatovë, komuna thotë se rehabilitimi kërkon buxhet
Gjendja e segmentit rrugor Likoshan–Gllanasellë–Çikatovë është ngritur si shqetësim nga banorët për shkak të dëmtimeve dhe vështirësive në qarkullim.
Komuna e Drenasit, në përgjigjen e saj për “Zërat Digjitalë të Fshatrave”, thotë se ka investuar në këto segmente në periudha të ndryshme, por sipas saj problemet paraqiten për shkak të karakteristikave të terrenit.
“Komuna e Drenasit ka investuar në këto segmente kohë-pas-kohe, mirëpo defektet paraqiten për shkak të rërënit të rrëshqitshëm që përbën ajo zonë”, thuhet në përgjigjen e zyrtares së komunës, Vlora Gjinovci.
Sipas komunës, në një periudhë afatmesme pritet të bëhen investime për rehabilitimin e këtyre segmenteve, në varësi të mundësive buxhetore.
Komuna thekson se gjatësia e rrugëve dhe kostoja e ndërhyrjeve e bëjnë rehabilitimin një investim të konsiderueshëm.
“Komuna do të investoj në rehabilitimin e këtyre segmenteve rrugore me mundësinë e kostos buxhetore, pasi që kanë një kosto të lartë buxheti për shkak të gjatësisë së rrugëve”, thuhet në përgjigje.
Kjo nënkupton se, sipas komunës, problemi nuk lidhet vetëm me mirëmbajtjen e përditshme, por edhe me nevojën për një ndërhyrje më të gjerë rehabilituese.
Ura në Shtrubullovë pret sigurimin e mjeteve financiare
Një tjetër problem i raportuar është ura në Shtrubullovë të Drenasit, e cila lidh disa fshatra dhe, sipas banorëve, ka mbetur pa u rregulluar për një periudhë të gjatë.
Komuna e Drenasit thotë se për këtë projekt ka bashkëpunuar me Ministrinë e Infrastrukturës dhe se është nënshkruar një memorandum mirëkuptimi.
Megjithatë, sipas komunës, procedurat nuk kanë vazhduar për shkak të mungesës së sigurimit të dokumentacionit financiar nga ana e ministrisë.
“Komuna në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës ka nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit për këtë projekt, mirëpo procedurat për vazhdimin tutje nuk janë zhvilluar në mungesën e sigurimit të dokumentacionit (zotimin e mjeteve financiare nga ana e ministrisë)”, thuhet në përgjigjen e komunës.
Komuna thotë se nga ana e saj dokumentacioni dhe projekti janë përfunduar dhe se janë të gatshëm për procedurat e mëtejshme.
“Komuna e Drenasit ka përfunduar të gjithë dokumentacionin – projektin janë të gatshëm për procedura tutje, pas sigurimit të mjeteve financiare”, thuhet në përgjigje.
Pra, sipas versionit të komunës, ndërhyrja në urë është e lidhur me sigurimin e mjeteve financiare dhe vazhdimin e procedurave në bashkëpunim me nivelin qendror.
Kralicat–Polac: Komuna e Skenderajt thotë se nuk është kompetencë e saj
Edhe segmenti rrugor që lidh lokacionin “Kralicat” me fshatin Polac, në rrugën për Vushtrri, është raportuar për dëmtime dhe gropa në pjesë të rrugës.
Ky problem është dokumentuar përmes raportimeve të banorëve dhe vizitave në terren. Për rastin janë kontaktuar institucionet përgjegjëse për të marrë një qëndrim lidhur me gjendjen e segmentit dhe mundësinë e ndërhyrjes.
Komuna e Skenderajt ka sqaruar se ky segment nuk është në kompetencën e saj.
“Ju informojmë se segmenti rrugor në fjalë nuk është në kompetencë të Komunës së Skenderajt, por është në kompetencë të Ministrisë së Infrastrukturës, përkatësisht institucioneve përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve në nivel qendror”, thuhet në përgjigjen e drejtorit për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit në Komunën e Skenderajt, Arbnor Çitaku.
Sipas komunës, për këtë arsye, çështja e inspektimit, mirëmbajtjes dhe sanimit të dëmtimeve duhet t’i adresohet institucionit kompetent në nivel qendror.
“Zërat Digjitalë të Fshatrave” e ka kontaktuar Ministrinë e Infrastrukturës për të marrë qëndrimin e saj lidhur me gjendjen e këtij segmenti dhe nëse është planifikuar ndonjë ndërhyrje.
Deri në publikimin e këtij artikulli, Ministria e Infrastrukturës nuk ka kthyer përgjigje.
Probleme të ngjashme, përgjegjësi të ndryshme
Rastet e raportuara nga fshatrat e Drenicës tregojnë se problemet me rrugët nuk kanë një përgjigje të vetme institucionale.
Në rastin e Likoshanit, Gllanasellës dhe Çikatovës, Komuna e Drenasit thotë se ka investuar edhe më herët dhe se rehabilitimi i mëtejshëm varet nga mundësitë buxhetore.
Në Shtrubullovë, komuna thotë se dokumentacioni i projektit është përfunduar, por vazhdimi i procedurave lidhet me sigurimin e mjeteve financiare në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës.
Ndërsa për Kralicat–Polac, Komuna e Skenderajt e zhvendos përgjegjësinë te niveli qendror, duke e konsideruar segmentin jashtë kompetencës së saj.
Për banorët, megjithatë, dallimi institucional mes nivelit lokal dhe qendror nuk e ndryshon problemin praktik: rruga mbetet infrastruktura përmes së cilës ata duhet të lëvizin çdo ditë.
Raportimi vazhdon
“Zërat Digjitalë të Fshatrave” do të vazhdojë t’i ndjekë këto raste edhe pas publikimit, veçanërisht aty ku institucionet kanë paralajmëruar ndërhyrje apo ku ende nuk është marrë përgjigje.
Qëllimi i platformës është që problemet e raportuara nga banorët e zonave rurale të mos mbeten vetëm në nivelin e ankesave, por të dokumentohen, verifikohen, t’u adresohen institucioneve dhe të ndiqen deri në një rezultat të dokumentuar.
Për rastet ku institucionet nuk kanë kompetencë direkte, platforma do të kërkojë që përgjegjësia të sqarohet dhe çështja t’i adresohet autoritetit përkatës.

Leave a comment